Socialistët nuk tërhiqen nga qëndrimi pro koalicioneve të përbëra, si formë bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme. Sipas selisë rozë kjo strukturë e koalicionit i jep fund pazareve para elektorale, duke ia nënshtruar rezultatin vullnetit të elektoratit.
Ekspert i kësaj force politike pranë komisionit të posaçëm për reformë zgjedhore Gjiknuri, thotë se kjo është gjithashtu logjika e konkurrimit të ndershëm edhe mes aleatëve.
Në thelb partitë konkurrojnë me siglat, listat dhe programet e tyre dhe fund të votimit marrin aq mandate sa u takojnë.
Damian Gjiknuri: “Ideja është, kjo është për të maksimalizuar fitoren, do të thotë që në qoftë se ne si një koalicion i majtë ose i djathtë do të marrë të gjitha votat dhe asnjë votë nuk duhet të shkojë dëm, çdo votë e hedhur për çdo parti brenda këtij koalicioni do ti shkojë dhe në maksimum i merr mandatet më të mira, por njëkohësisht nuk ka dushk, pse nuk ka dushk, sepse të gjitha forcat nuk kanë me vota të transferueshme. Çdo votë që transferohet nga një parti te tjetra në njëfarë mënyre i hiqet partisë tënde, sepse edhe mandat brenda koalicionit ndahen në bazë të një raporti të caktuar.”
Qëndrimi i palëkundur pro koalicioneve të përbërë ka ndarë socialistët me Lëvizjen Socialiste për Integrim, i cila mbron idenë për një korrektim kombëtar të votës. Dy forcat politike pretendojnë për qëndrime parimore.
Një kundërshti që të paktën deri tani u ka kushtuar ndarjen, në përballjen e 2009 edhe koston e rezultatit zgjedhor. /tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi