Ne shpesh e gjejmë veten duke diskutuar me njerëz që kanë bindje krejtësisht të kundërta. Po si shpjegohet kur mendimet e ndryshme në fushën e politikës në fakt “na bëjnë bashkë”?
Përmes një shkrimi mjaft interesant, Rachel Wahl thotë se e ka studiuar këtë lloj fenomeni për thuajse një dekadë. Sipas saj, gjëja që ka vënë re është se njerëzit rrallë e ndryshojnë qasjen e tyre ndaj zhvillimeve politike, pas këtyre diskutimeve.
“Por atyre iu shtohet ndjesia pozitive ndaj bashkëbiseduesit”, thotë ajo.
Biseda që bëjnë diferencën
Kur dikush e ndjen se të tjerët kanë kureshtje për mendimet e tij, duke ua kërkuar me qetësi dhe me pyetje diplomatike. Në këtë moment, në vend që të jepet një përgjigje agresive, synohet një argumentim i hollësishëm dhe më i matur. Përshembull, nëse e pyet dikë pse ka votuar, do kesh edhe pyetje të tipit: “Nga se ke frikë?”,”Çfarë shpreson?”, “Çfarë beson se duhet për një shoqëri më të mirë?”
Por më e rëndësishmja nga sa më lart, pyetje mbi eksperienca personale që mund të kenë ndikim në atë lloj zgjedhjeje. Ky kuriozitet ka efekt tek të dyja palët. Dëgjuesi, sipas Wahl, mund të gjykojë vendimet e atij që flet, por jo atë si njeri. Kur njerëzve u kërkohet të kujtojnë bisedën më të mirë përgjatë jetës së tyre, shumica dërrmuese mbajnë mend ato me tone të qeta.
“Kur jep argumente, por njëkohësisht ndihesh rehat me praninë e tjetrit”, është ky thelbi thekson ajo.
Çfarë benefitesh sjell në shoqëri?
Shkëmbimi i ideve të ndryshme politike sjell padyshim benefite për demokracinë. Së pari, këto biseda ndihmojnë në shmangien e frikës dhe urrejtjes. Mirëkuptimi mes njerëzve për zgjedhje të caktuara politike i bën ata të rrinë larg teorive konspirative mbi rezultatet elektorale. Së dyti, ul mbështetjen ndaj personazheve politike që iniciojnë dhunë. Së treti, këto biseda reduktojnë qëndrimet negative mes njëri-tjetrit. Pra, ajo ideja për ta parë personin përballë si “të keqin” ose “budallain”, që duhet ndaluar me çdo kusht…
Në një demokraci ideale, njerëzit jo vetëm luftojnë për të liritë e tyre, por kuptojnë shqetësimet e bashkëqytetarëve të tyre. Njerëzit nuk duhet të mbështesin një parti politike, pa ditur çdo aspekt të realitetit ku jetojnë.
Në rastet e rralla kur në fund të bisedës palët bien dakord, ndodh për shkak të vetë-reflektimit.
Megjithatë, për një demokraci të shëndetshme nevojitet më shumë se dialog. Qytetarët jo vetëm duhet të flasin, por edhe të veprojnë, të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të të tjerëve.
E.D/tvklan.al