Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar pamjet e aksionit policor ditën e sotme pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK për goditjen e grupeve kriminale.

Janë mbi 40 fletë arresti, teksa janë arrestuar disa persona ndërsa shumë të tjerë janë të shpallur në kërkim. Operacion policor vijon ende.

Ministri i Brendshëm thotë se lufta kundër krimit të organizuar është e pandalshme dhe po jep rezultate.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, thotë ministri Balla.

Falë hetimeve, që kanë bazë komunikimet e ekriptuara në SKY dhe Encrochat, sipas burimeve janë zbardhur një seri ngjarjesh kriminale që datojnë që prej vitit 2019.

/tvklan.al