Partia Demokratike thellon diferencën me Partinë Socialiste në qarkun e Elbasanit, i cili do të nxjerre 14 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sondazhi i qendrës humanistike “Gani Bobi” i publikuar në Tv Klan, i nxjerr demokratet fitues me 51.4%, kundrejt 37.8% të socialisteve, përsa i përket votës së deklaruar. LSI-ja ka marre 3.6%, e ndjekur nga G 99 me 2.7%. Anketimi shënon një epërsi të ndjeshme ne fitoren e demokrateve ndaj socialistëve në këtë qark, me 13.6 %. Në sondazhin e muajit maj kjo diferencë ishte 7.7%.

Për realizimin e këtij sondazhi janë anketuar 1600 persona, dhe kampioni përfaqësues është shpërndarë në qytetin e Elbasanit, atë të Librazhdit, Gramshit dhe Peqinit.

Sonila Meço: “Vota e deklaruar dy jave përpara zgjedhjeve Partia Demokratike 51.4%, për      Partinë Socialiste 37.8%, për Lëvizjen Socialiste për Integrim 3.6%, për Lëvizjen G99 2.7% për partitë e tjera të Koalicionit të Partisë Demokratike 2%, për Partitë e tjera të Koalicionit të  Partisë Socialiste 1.2% dhe të  tjera 1.3 % të grumbulluara. Pra Partia Demokratike rezulton fituese e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit për qarkun e Elbasanit, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin 2 javë përpara datës 28 qershor. Zoti Maliqi doja dhe një lidhje tjetër me ju, meqenëse ne mund të bëjmë kalkulime shumë të thjeshta në bazë të rezultateve të 2005, se si do të ishin ndarë me sistemin proporcional-rajonal numri i deputetëve, a mund ta bëjmë tashmë edhe me këto rezultate? Cila do të ishte ndarja e deputetëve, 14 të tillë ka Elbasani, midis forcave kryesore politike?

Shkëlqzen Maliqi: “Nuk kemi provuar ta bëjmë në këtë rast dmth po nderohen këto frekuencat që i kemi që janë të ulëta të rriten, të supozohet se sa mijë votues do të jenë për PD, nuk i kemi hyrë kësaj se dhe kalkulimi është pak i komplikuar, po ndoshta nesër mbrëma do ta bëjmë për kombëtaren, për secilin qark.”

Krahasuar me të dhënat e sondazhit të muajit të kaluar, vihet re se mbështetja për demokratët është rritur me 2.1 %, ndërsa nga ana tjetër për socialistet ka një rënie me 3.8 %. Nga ana tjetër rënie te ndjeshme ka shënuar dhe G99 me 1.6%.

Sonila Meço: “Atëherë ka rënë me 3.9% abstinenca.”

Mentor Nazarko: “Vazhdoj të abstenoj, kjo shpërndarje e pavendosur nuk më duket e drejtë në raport me rezultatin përfundimtar. Sepse kemi rritje të PD-së, kemi ulje të PS-së, dmth rritje fare të vogël. Nuk kemi atë propocionalitet për të cilën folët juve.”

Pjese e këtij sondazhi ishte dhe vlerësimi i dhënë nga elektorati i këtij qarku për punën e qeverisë për periudhën 2005-2009. Sipas të anketuarve 47.1% e cilësojnë të suksesshme punën e ekzekutivit dhe 23.7% të pasuksesshme.

Artan Hoxha: “Ai komunitet që është intervistuar e mbështet  këtë qeveri jo thjesht nga këndvështrimi militant, por duket që e vlerëson edhe për efektet që ka pasur kjo qeverisje për jetën e tyre ët përditshme apo për aq sa njerëzit janë të interesuar dhe për efekte të një qeverisje në rang kombëtar.”

Ndërsa në lidhje me pyetjen se sa e suksesshme ka qenë opozita e majtë për të njëjtën periudhë vetëm 23. 8% e të anketuarve e kanë konfirmuar pozitivisht një gjë të tillë dhe 38% e shohin si të pasuksesshme.

Por si do të votohej në Elbasan dy javë përpara zgjedhjeve, ka qenë një tjetër pyetje e këtij sondazhi mbi votën e padeklaruar, që serish nxjerr në avantazh Partinë Demokratike me 42.2% kundrejt 31% të socialistëve, duke shënuar kështu një epërsi të ndjeshme me 11.2%.Pas qarkut të Elbasanit të martën në Tv Klan  qendra humanistike “Gani Bobi” do të sjellë sondazhin e Korçës dhe atë në rang kombëtar./tvklan.al