Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka folur këtë të Mërkurë për Klan News. Ajo u shpreh se pavarësisht ‘presionit’ nga ana e mazhorancës, opozitarët nuk do ndalen me aksionin e tyre.
“Kemi 23 deputetë që shantazhohen me kallëzim në SPAK, nga firma deputetësh që nuk i njeh askush në Parlament. Firmosin kërkesën për masa disiplinore ndaj kolegëve të tyre. Është e njëjta mazhorancë që intimidon opozitën, që i bën presion dhe nuk e lejon të shfrytëzojë instrumentet e kontrollit në procedurat parlamentare. Pushka top iu bëftë, ne nuk ndalim aksionin opozitar se do na dënojnë me një pagë… Simbolika e djegies së karrigeve s’mund të krahasohet me miliona euro abuzim të kësaj qeverie. Mos të bëjmë sikur jemi të veçuar nga bota, ngjarje të tilla ndodhin në parlamente europiane, në botë. Ka reagime nga opozita, reagim me simbolika.”
Teksa pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, Çupi tha se krijimi i qeverisë teknike është kërkesë e panegociueshme.
E pyetur se sa e bashkuar është opozita në këtë pikë, deputetja përfundoi:
“Në këtë aksion politik jemi të gjithë në një mendje!”
/tvklan.al