Emigrantët e paligjshëm në Itali nuk do të rrezikojnë burgim. Pas kritikave të shumta për ksenofobi dhe diskriminim ndaj tyre, qeveria italiane po jep shenja të  tërheqjes së vendimit  të miratuar pak muaj më parë.

Kabineti qeveritar në Itali, pritet të miratojë së shpejti një amendament, i cili parashikon jo më dënim për emigrantët e paligjshëm, por thjesht gjobë.

Dokumenti është pjesë e ligjit për sigurinë publike të hartuar nga komisioni kushtetues dhe i drejtësisë. Ai pritet t’i japë një ngjyrim më lehtësues politikave italiane ndaj klandestinëve. Të cilët tashmë nuk rrezikojnë dënim nga 6 muaj në 4 vjet.

Aktualisht amendamenti është në duart e anëtarëve të senatit. Ndërkohë në fund të muajit do të kalojë në kabinetin qeveritar. Sipas ministrit të brendshëm Roberto Maroni, dokumenti në fjalë i cili edhe mund ti nënshtrohet një modifikimi të orëve të fundit është një lehtësim i ligjit. Por gjithsesi mbetet një sanksion./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj