Policia italiane ka arrestuar shoferin e ambasadës shqiptare në Itali, pasi në makinën që ai po drejtonte u gjet 1 kilogram kokainë. Arsen Selmanllari u kap të dielën në afërsi të Milanos, droga iu gjet e fshehur në makinën me traga diplomatike të cilën ai drejtonte.
Policia ka vënë në pranga dhe të dashurën e 33-vjeçarit Selmanllari. Makina e ambasadës u ndalua në një postbllok për një kontroll rutinë,or nervozizmi i drejtuesit dhe reagimi i ashpër i tij ka ngjallur dyshime tek policët. Të cilët kanë kërkuar të bëjnë një kontroll të imtësishëm të autoveturës.
Selmanllari ka përdorur edhe dokumentin diplomatik për ta evituar këtë, por pala italiane ka kontaktuar me ministrinë e jashtme shqiptare, e cila pas njohjes me këtë situatë ka kërkuar, që Selmanllari të trajtohet pa mbrojtje diplomatike.
Shoferi është pushuar nga puna dhe palës italiane i është komunikuar heqja e çdo privilegji diplomatik të këtij personi, për tu hapur kështu rrugë hetimeve. Nga ana tjetër ministria e Jashtme po përgatit një kallëzim ndaj shoferit Slemanllari, i cili një ditë pas arrestimit është lënë në burg pa afat nga gjykata e Milanos.
Ai ka mohuar të ketë patur dijeni për lëndën narkotike. Ndërsa nga ambasada shqiptare në Romë mësohet se Selmanllari në ditën e arrestimit e kishte marrë makinën pa informuar personelin e ambasadës./tvklan.al