Qeveria ka ndërmarrë një nismë për të llogaritur vitet e punës për efekt të llogaritjes së pensionit për të gjithë ata punonjës që kanë punuar në institucionet shtetërore dhe në fshat përpara vitit 1994, të cilët prej dekadash po hasin veshtirësi që t’i dokumentojnë ato.
Projektligji i hartuar nga Minstria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka përcaktuar rrugën se si duhet të realizohet një proces i tillë për personat që kanë hasur vështirësi për të vërtetuar vitet e punës në ish-ndërmarrjet bujqësore, kooperativat dhe ish-institucionet shtetërore.
Duhet të jetë vetë personi që me anë të një deklarate pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të vërtetojë se ka qenë me vendbanim në vendin ku ka punuar kjo për efekt të përfitimit të plotë apo të pjesshëm të pensioneve.
Në draft theksohet se nisma u ndërmorr për shkak të problemeve të evidentuara ndër vite nga ISSH, ku mungesa e dokumentacionit ka detyruar shumë persona t’i drejtohen dyerve të gjykatave, duke u përballur me procedura zvarritje dhe me kosto të papërballueshme për qytetarët.
Sipas analizës financiare, kosto e shtuar në vitin e parë të zbatimit rezulton rreth 40 milionë Lekë.
Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë Lekë.
Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë Lekë.
Tv Klan