Historia e Naim Flamurit është si e askujt që keni dëgjuar më parë. Ai ka lindur në Australi dhe ka gjithashtu një vëlla binjak me emrin, Sami. Kur ata ishin në moshën 3-vjeçare, babai, Flamuri, vendosi t’i kthejë në qytetin e Ulqinit. 

Kur mbërritën në Ulqin, babai i tha Naimit dhe vëllait binjak se do të vinte sërish pas 6 muajsh, por ai nuk u kthye asnjëherë. Ndaj, në moshën 18-vjeçare, të dy vëllezërit u nisën në kërkim të të atit, për të ribashkuar familjen e tyre. Pas shumë peripecish, ata e gjetën Flamurin në Australi. Misioni i tyre u përmbush!

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Naimi u shpreh se arsyeja që babi i kishte “harruar”, ishte për shkak të veseve (rakia, bixhozi, duhani), të cilat ndikuan në gjendjen e tij.


Naim Flamuri: Është një histori e veçantë sepse ne kemi kërkuar babain tonë, Flamurin. Këtu interesante ishte sepse kur na dërgoi babai ynë, Flamuri, në Ulqin, tha: “Do vij pas 6 muajsh”, por kaluan 20 vjet dhe kurrë nuk e takuam babain më.

Blendi Fevziu: Si? Babai ju dërgoi në Ulqin kur ju ishit 3-4 vjeç dhe tha që do të vinte t’ju takonte dhe ju s’e takuat më kurrë babain?

Naim Flamuri: Kurrë nuk e takuam dhe kurrë nuk dëgjuam, derisa ne shkuam në kërkim të babait në Australi me vëllain tim binjak, Samiun. Kjo ishte një histori shumë interesante.

Blendi Fevziu: Pra kur bëtë 20 vjeç ju u kthyet në Australi për të kërkuar babain?  

Naim Flamuri: Ishim pak më të vegjël, pra 18 vjeç e gjysmë gati. 19 vjeç e takuam dhe e gjetëm babain.

Blendi Fevziu: Ku e gjetët babain?

Naim Flamuri: Australia është një kontinent shumë i madh, është gati 1 ditë dhe 1 natë udhëtim, 4000 deri në 6000 kilometra dhe kështu që e gjetëm Flamurin atje dhe bashkuam familjen. Kështu që me nënën tonë që na rriti, ajo kalvari i jetës së saj, filloi me një fund të lumtur, që u bashkuam të gjithë së bashku.

Blendi Fevziu: Po pse ishte zhdukur babai për 15 vjet?

Naim Flamuri: Po Flamuri si Flamur, me ato veset e shqiptarit jo të mira. Domethënë, e para ishte rakia, e dyta ishte duhani dhe në fund dashuria, ishte bixhozi dhe jeta e natës. Tipik si shumë shqiptarë të tjerë që harruan vetveten dhe familjen. Kur u bashkuam ai e la mandej alkoolin. /tvklan.al