Kryeministri Rama është përfshirë sërish në replika me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, të cilët i kërkojnë vëmendje më të shtuar për pensionistët, si dhe furnizim me ujë.

“Nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët është vetëm kjo qeveri e PS. Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit të ketë një pension të konsiderueshëm më të lartë se kush ka dalë më parë”, tha Rama.

Për të treguar se qeveria e tij e ka prioritet këtë kategori, Rama ndalet tek dy vendimet e fundit për bonuset e pensionistëve, të cilat sipas tij do të kthehen në një normë të përvitshme.

“Është kjo qeveri që u dha pensionistëve pak javë më parë plot 100 mln Euro si bonus për Vitin e Ri dhe do t’u japë për herë të parë një bonus të dytë në pranverë dhe do të mbajë dy bonuse në vijim. Këto janë fakte, kujdesin e vazhdueshëm të pensionistëve me të cilët ne do ndajmë në çdo hap pjesën e tyre të merituar nga rritja tani më e pandalshme e ekonomisë”, u shpreh kryeministri.

Pa atakuar nuk lë edhe opozitën, që i cilëson elektorale dhe makijazh këto dy masa të qeverisë.

“Të tjerët ata që nuk kanë, as nuk do kenë asgjë në dorë që nga një katran i madh, ca katranë të vegjël të pacipë dhe pa nishan ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtarë të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xhaferrit”, thotë kreu i qeverisë.

Kryeministri shprehet i bindur do ketë mbështetjen e shqiptarëve për t’i qeverisur edhe për shumë vite të tjera.

“Mos ta harrojë askush  dhe shumë pensionistë nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë lesh e li e dyta e dinë aritmetikën me mirë se sa “lulat” e rinj dhe e treta e kanë më të qartë se kush do tjetër se ne nuk jemi më të mirët dhe më të mirë se ne ky vend as nuk ka pasur as nuk gjen dot dhe për 10 vite të mira pa diskutim.”

Të enjten qeveria vendosi që duke nisur nga muaji Shkurt të gjithë ata të moshuar që marrin një pension më të ulët se 20 mijë Lekë të reja në muaj do të përfitojnë përmes bonusit të pranverës 10 mijë Lekë të reja, ndërsa ata që kanë një pension mbi 20 mijë Lekë të reja do të marrin 5 mijë Lekë të reja.

Tv Klan