Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Himarë së bashku me kandidatin socialist të Bashkisë Himarë për zgjedhjet e 4 Gushtit, Vangjel Tavon. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se deri në fund të Tetorit, të gjitha shtëpitë në Himarë do të jenë të regjistruara.
Edi Rama: Deri në fund të Tetorit, të gjitha shtëpitë do të jenë të regjistruara dhe sistemi është i tillë që mund të jesh në Amerikë apo Australi dhe me aplikim e merr. Ndërkohë që me Vangjelin e kemi folur që pas Tetorit do të fillojmë me pjesën tjetër që është më e vështirë, por nuk është e pamundur. Ata që e përdorin ekstremizmin politik, e përdorin për interesa. Hajde ngremë flamurin, të përplasemi me ndonjë gjë. Siç janë disa zona, këtu problemi është i menaxhimit të pronës dhe për shkak se këtu i gjithë procesi ka qenë i fragmentuar, vendosja në hartë e pronave për shtëpitë ka qenë një proces që ka marrë të gjithë këtë kohë. Gjëja që i them është që mos i beso njeriu, as sekserëve dhe as ndërmjetësve.
Më tej, kryeministri Rama e ka vënë theksin dhe tek turizimi në Shqipëri, për të cilën ka thënë se turistët e huaj janë rritur me 150%.
Edi Rama: Jo që nuk ka rënie nga pikëpamja e turistëve, por turistët e huaj, krahasur me vjet janë rritur rreth 150%. Po ku është problemi? Patjetër që në vend të caktuara dhe këtu po marr Palasën, Ksamilin, ku kërkesa u rrit shumë, ka pasur dhe një kërcim irracional të çmimeve, por kjo është çështja e tregut në fund fare. Çështja kryesore është që hotelet janë super plot dhe numri i restoranteve është rritur shumë më tepër se numri i shtretërve. Restorante që kanë pasur fluks, kanë rritur çmimin, ja kanë bërë vetes. Ka edhe një komponent tjetër të anti-propagandës, normal se është konkurrencë. Doli një artikull para 2-3 ditësh për plazhin e Milano Maritimas që ata në plazh kanë bërë një ulje drastike çmimesh për shkak të konkurrencës me Shqipërinë. Qesharake që thonë se të gjithë shqiptarët e Kosovës ikën, nuk vijnë më. Ata kanë ardhur më shumë se vjet.
/tvklan.al