Kryetari i Partisë Socialiste së bashku me rrjetin e vullnetarëve u ndal këtë herë në qytetin e Koplikut. Në fjalën e tij kryesocialisti u ndal në aspiratën e shqiptarëve për ndryshim, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, por sipas tij, është e domosdoshme në radhë të parë duhet të ndryshojë vetë politika.
Edi Rama: “Që Shqipëria të ndryshojë duhet të ndryshojë politika duhet të ndryshojë, që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe i shpresës, politika duhet të nxisë punën dhe të ushqejë shpresën. Që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa, politika në Shqipëri duhet të bëhet evropiane.”
Kreu socialist u shpreh se ndryshimi që do sjellë Partia Socialiste ka në thelb jo përbaltjen e kundërshtarëve, por nxjerrjen e vendit nga kriza.
Edi Rama: “Ndryshimi që ne do të sjellim është ndryshimi që u duhet prindërve që s’u blejnë dot abetaren fëmijëve për shkak të varfërisë. Ndryshimi që u duhet të rejave e të rinjve që marrin arratinë nga atdheu për shkak të papunësisë. Ndryshimi që u duhet familjeve shqiptare në qytet e në fshat që nuk arrijnë dot fundin e muajt për shkak të varfërisë e të papunësisë bashkë.”
Nga Kopliku i Malësisë së Madhe Rama tha, se politika e vjetër e 18-viteve ndihet tashmë e kërcënuar nga bashkimi i të gjithë qytetarëve rreth politikës së re të ofruar nga Partia Socialiste./tvklan.al