Kryeministri merr pjesë në samitin e BERZH në Londër
Minishengenin Ballkanik, që vetë nuk pranon ta quajnë të tillë, Edi Rama e vlerëson si mundësinë e vetme që ka rajoni me paqen e brishtë, Ballkani Perëndimor ka për të zhvilluar ekonominë e të gjithë vendeve që janë pjesë. Duke folur në samitin e përvitshëm që BERZH zhvillon në Londër me kryeministrat e këtij rajoni për investimet, Kryeministri shqiptar shprehet i bindur se vetëm së bashku mund t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet që ende karakterizojnë Ballkanin Perëndimor.
“Ta shndërrosh paqen në një instrument zhvillimi e begatie nuk është e lehtë, sepse e shkuara ende nuk është tërësisht pjesë e historisë. Natyrisht kemi mosmarrëveshje, natyrisht ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur, por ne po punojmë që së bashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë, që të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi në mosmarrëveshje të pafundme, me luftëra e konflikte. Natyrisht, kjo nuk ka të bëjë thjesht me paqen si e tillë, por me zhvillimin, me ekonominë, me të ardhmen për popujt tanë, për të rinjtë, për fëmijët tanë. E kjo është arsyeja pse besoj fort që ajo çka e quajnë “minishengen”, dhe nuk e di kush e shpiku këtë fjalë sepse nuk është aspak “mini”. Është një hapësirë e përbashkët rajonale që referohet si Shengen, thjeshtë për të kuptuar se bëhet fjalë për 4 liritë e Europës; Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në rajonin tonë, ku ndërkohë që flasim, në kufij, mallrat dhe njerëzit presin më shumë se 1000 vjet për vit, që nuk është efektive besoj. E pra, BERZH-i në asnjë mënyrë nuk do të financonte një projekt ku pritet 1000 vjet në vit.
Minishengenin, Rama e sheh dhe si një mundësi për integrimin e rajonit në BE, që përmes metaforës që përdor e quan autostrada Ballkani Perëndimor-Bashkimi Europian.
“Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ne po ecim përpara. Ne na duhet të tejkalojmë këtë dëm shumë të madh që është shkaktuar nga tërmeti, megjithatë kemi një sërë projektesh të mëdha që janë në vazhdim e sipër. Duhet të vazhdojmë të punojmë e nuk dua t’ju bezdis tani me emrat e rrugëve ku nisin e ku përfundojnë, sepse ka vetëm një autostradë që na duhet të ndërtojmë së bashku, autostrada Ballkan Perëndimor-Bashkim Europian. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”.
Samitin e BERZH-it, ashtu si samitin e Berlinit, nisma të iniciuara në të njëjtin viti, në 2014, i sheh si shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, ndryshe siç thotë, nga zhgënjimi që ka njohur ky rajon nga procesi i anëtarësimit në BE. E duke folur për rajonin, Kryeministri vlerëson shumë kontributin e të gjitha vendeve të tij në Konferencën e Donatorëve, ashtu siç vlerëson dhe rolin që ka Kroacia si zëdhënësja e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE, aq më tepër tani që ka dhe presidencën e radhës të BE.
Tv Klan