“Në tryezën e tij, i njohur nga të gjithë si Edi, i cili mbushi 60 vjeç Korrikun e kaluar, krah dosjeve delikate që janë pjesë e detyrës së tij si kryeministër i Shqipërisë ndodhen shumë lapsa e stilolapsa me ngjyra”.
Kështu e nis përshkrimin për Edi Ramën e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, e cila gjatë një interviste të dhënë nga kreu i qeverisë krahas arritjeve për vitin që lamë pas rrëfen edhe ambicien e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Ishte një vit i shënuar nga një psherëtimë lehtësimi, pasi më në fund jemi ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas një rrugëtimi të gjatë reformash, plot me pengesa të vështira. Gjithçka që do të na çojë drejt hapit të madh historik të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe ta transformojë Shqipërinë në një vend ku e kaluara nuk mund të marrë peng të ardhmen. Ndjesia është si ajo e marinarëve që, pas një udhëtimi të gjatë, më në fund shohin tokën. Nuk jam profet, shpresoj në vitin 2030”, tha Rama.
Edhe pse ka fituar tre palë zgjedhje parlamentare, Rama refuzon të bëjë një vlerësim për veten, por thotë se, me të njëjtën përulësi sikundër qeveris që nga Shtatori i 2013-ës do të kërkojë sërish votën e shqiptarëve edhe në 11 Maj për një mandat të katërt.
“Në Majin e ardhshëm, do të mirëpres me përulësi votën e qytetarëve, sepse ajo është ajo që ka rëndësi. Të kandidoj për një mandat të katërt dhe të kem një mbështetje që premton mirë është tashmë diçka e veçantë”, tha kryeministri.
Në intervistën e dhënë për median italiane, Rama flet edhe për marrëdhënien që ka me kryeministren Meloni, pavarësisht se nuk i përkasin të njëjtës familje politike.
“Nuk do ta shihja si një çështje ideologjike. Siç e kam thënë shpesh, me Italinë kemi një marrëdhënie shumë të veçantë për t’u kufizuar nga përkatësitë ideologjike”, tha Rama.
Ngjitjen e Donald Trump-it në krye të Shtëpisë së Bardhë e sheh si diçka që pritej dhe thotë se zgjedhja e tij si President i SHBA-ve do të ketë ndikim pozitiv edhe për Europën.
“Jo, aspak. Ishte e parashikueshme. Ai kurrë nuk ka fshehur bindjen se Zoti kishte një arsye të veçantë për ta mbajtur gjallë ndërsa kandidonte për Shtëpinë e Bardhë. Duke vazhduar paralelen me Zotin, ai nuk mund të bënte asgjë më bujare për të zgjuar Evropën. Shpresoj që kjo përpjekje të japë rezultatet e dëshiruara, përndryshe mund të ketë dhimbje të mëdha përpara”.
Nga 2024-a do të donte të mos ndryshonte moshën, ndërsa nga viti i ri sa më pak mesazhe në celularin e tij.
Tv Klan