Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker u nderua nga Bashkia e Kavajës dhe Shoqata e të Përndjekurve Antikomunistë, me titullin e mirënjohjes së personaliteteve që kanë kontribuar për kauzën shqiptare.

Për Sali Berishën, guximi i ish-ambasadorit Walker, që e cilësoi masakrën e Reçakut krim kundër njerëzimit, është skalitur në muret e historisë së kombit.

“Ambasadori Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë. Masakra e Reçakut, në njëfarë mënyre falë këtij burri që kemi ne sot, ishte rasti kur flijimi i 45 burrave, grave, fëmijë, u shndërrua në dritë lirie për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar.”

Pjesë e nderimit për kontributin e dhënë për Shqipërinë e Kosovën ishin edhe dy gazetarë shqiptarë që jetojnë në SHBA, Ilir Ikonomi dhe Beqir Sina.

Tv Klan