Kryeministri Edi Rama deklaroi pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, se palët janë dakordësuar që të punojnë bashkarisht për të adresuar dhe për të zgjidhur sëbashku të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes palëve.
“Kemi konfirmuar sot atë që kemi dakordësuar më parë që jemi dakord që të punojmë bashkarisht për t’i adresuar dhe për t’i zgjidhur me frymë konstruktive, me vullnet të lirë angazhim të përbashkët të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes Greqisë dhe Shqipërisë, që janë çështje në të mirë të dy vendeve tona”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se nga këto çështje është e drejta e minoritetit grek në Shqipëri, por edhe atij shqiptar në Greqi.
“Nuk është një çështje e Greqisë çështja e të drejtave të minoritetit grek. Është një çështje e jona. Nëse duam për minoritetin grek standardet më të mira dhe mundësi 100% të barabarta si qytetarë të këtij vendi nuk e bëjmë se e kërkon Greqia, por sepse është në nderin dhe vizionin tonë dhe shtëpinë tonë të përbashkët. E njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Siç është në interesin tonë që ata të jenë në kushtet më të mira të mundshme dhe të kenë mundësi të barabarta me fqinjët e tyre ashtu është edhe në interesin e të mirën e Greqisë dhe nuk kemi pasur asnjë moment hezitim të dyanshëm kur vjen puna për të bërë maksimumin për qytetarët e Shqipërisë me prejardhje greke dhe qytetarët e Greqisë me kombësi shqiptare. Kemi diskutuar për të çuar më tej axhendën në këtë drejtim, qoftë me të gjithë legjislacionin që duhet plotësuar në ligjin bazë për minoritetin dhe qoftë për elementet e tjera që kanë të bëjnë për jetën e njerëzve me një gjuhë amëtare tjetër, histori, kulturë dhe domosdoshmëri për ta përcjellë brez pas brezi gjuhën e tyre”, tha Rama. /tvklan.al