Qeveria është e vendosur për ta mbyllur në javën në vijim platformën TikTok, por ndërkohë ka nisur diskutimet me drejtuesit e TikTok-ut që nëse ata ofrojnë garanci për zgjidhjen e të gjitha shqetësimeve të parashtruara, platforma të rihapet sërish.
Kryeministri ka diskutuar gjatë qëndrimit ne Davos me Christine Grahn, drejtoren e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut arsyet që çuan drejt vendimit për ta mbyllur. Por siç ka pohuar dhe më herët, kjo nuk është një mbyllje përfundimtare.
“Shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platforme”, shkroi Rama.
Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut u nxit nga vrasja e 14-vjeçarit në shkollën Fan Noli dhe u komunikua pas konsultimit publik me këshillat e prindërve në të gjitha shkollat e vendit. Sipas kryeministrit, ndryshe nga platforma në Kinë nga e ka origjinën TikTok-u, në Shqipëri mungojnë filtrat dhe promovohet dhuna dhe gjuha e urrejtjes.
Tv Klan