Tirana është shndërruar një nga destinacionet turistike të Shqipërisë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në samitin “Pact of Free Cities”, të mbajtur në kryeqytetin tonë, ku kryebashkiakë dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha të Europës dhe botës kanë ndarë eksperiencat dhe perspektivat për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit.
“Në një kryeqytet që sot është bërë dhe një nga destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë gjë që nuk mund të imagjinohet deri disa viteve më parë. Sot Tirana është kthyer dhe në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore”, tha Rama.
Rama tha se transformimi i Tiranës, është vetëm një nga treguesit të projekteve të përfunduara ose që janë në zhvillime edhe në zona të tjera të Shqipërisë.
“Shumë projekte interesante po zhvillohen edhe në pjesë të tjerat të vendit, një numër të konsiderueshëm arkitektësh bëjnë projekte në Shqipëri dhe Tiranës i shkon më së miri ajo shprehja: Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë, e ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të gjatë veprash vërtetë mbresëlënëse të arkitekturës bashkëkohore”, tha Rama.
U kthye pas në kohë, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, duke sjellë në vëmendje gjendjen e kryeqytetit disa vite më parë.
“Më kujtohet se me çfarë lloji turpi dhe me çfarë lloj skuqje në fytyrë e kam përjetuar kur sapo isha bërë kryetar bashkie dhe një gazetare dashamirëse italiane më tha: Më vjen shumë keq, po në këtë qytet nuk mund të fotografosh asgjë veç njerëzve, dhe realisht ishte kështu”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se për zhvillimin e Tiranës, një rol kryesor ka edhe bashkëpunimi që ajo krijon me bashkitë që janë shembuj suksesi në Europë edhe në botë.
Klan News