Turi elektoral i kryesocialstit Edi Rama është ndalur në qytetin liqenor të Pogradecit. I shoqëruar edhe nga ekipi i deputetëve që garojnë për qarkun e Korçës, nga Pogradeci Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha për pazare në kurriz të qytetarëve.

Edi Rama: “Sali Berisha ju kërkon votën e vetme që keni për të vetmen arsye se keni biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë ish-kryeministra e kërkojnë votën e vetme që keni për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetë, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju në pazarin e vjetër të numrave dhe të interesave personale për ta mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vjet të tjera si këto 18 vjet në duart e një grushti kryetarësh që bashkë me një grusht shërbëtorësh bëjnë vetëm interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore me kurrizin e kthyer nga ju. Kurse unë ju kërkoj votën për programin e ri për Shqipërinë që shkruam së bashku dhe për skuadrën e re të Partisë Socialiste e cila do të garantojë programin tonë.”

Kryetari i selisë rozë ka kërkuar votat e pogradecareve duke i garantuar ata se do të jetë kryeministër i një lloji të ri, duke qeverisur për njerëzit dhe me njerëzit.

Edi Rama: “Unë nuk do të jem kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të familjes së kryeministrit, po do të jem thjesht kryeministri juaj. Unë do të jem thjesht një kryeministër për ju, për t’u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra për të qenë bashkë me ju kudo ku janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë për të bërë bashkë me ju të mundura gjëra që për 18 vjet me radhë na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura. Karrigia e deputetit pas 28 qershorit, do t’i duhet atij, Sali Berishës që të ulet kur të jetë në opozitë ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një mandat për të qenë në këmbë në krye të punëve në çdo qytet dhe çdo fshat ku do e çoj qeverinë pas 28 qershorit për të realizuar programin që shkruam së bashku dhe dialogun me Shqipërinë, duke ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Europa.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro