Kreu i  Partisë Socialiste Edi Rama, ndalesën e radhës me vullnetarët e pati në qytetin e Pukës, ku u shpreh, se domosdoshmëria për ndryshim që ai gjen në këtë qytet si dhe në çdo cep tjetër të Shqipërisë do të bëjë të mundur ndryshimin për Shqiptarët. Ndërkaq gjatë fjalës së tij ai preku edhe çështjen e liberalizmit të vizave.

Edi Rama:Ne do t’i japim dinjitet shtetit tonë dhe liri lëvizje pa viza dhe pa kontrolle diskriminuese nëpër kufijtë e Evropës të gjithë shtetasit shqiptar. Në radhë të parë te të rinjtë dhe të rejat që sot kanë më pak të drejta daljeje nga vendi ynë se ç’kanë bashkëmoshatarët e tyre koreano-verior.”

Po ashtu Rama premtoi se me fitoren e zgjedhjeve të qershorit nga Partia Socialiste asnjë i diplomuar në arsimin e lartë nuk do të mbetet pa punë.

Edi Rama:Ju siguroj se do ta mundim parazitizmin detyruar duke luftuar kudo në çdo qytet dhe në çdo fshat, me të gjithë mënyrat me mish dhe me shpirt me papunësinë dhe ne nuk do të lejojmë që të rejat dhe të rinjtë të sorollaten gjithë ditën rrugëve e kafeneve për shkak se s’kanë ku shkojnë.”

Arsimi është cilësuar nga kryesocialisti Rama si politika më e mirë ekonomike, ndaj së bashku me punësimin është një nga pikat kryesore për programin e Partisë Socialiste./tvklan.al