Shqipëria është vendi më optimist për hyrjen në Bashkimin Evropian, ndërsa Bosnje Hercegovina më pesimistja.

Rreth 71 % e të anketuarve në Shqipëri mbështesin anëtarësimin në Evropën e bashkuar. Ky është përfundimi i nxjerrë nga raporti më i fundit i Galup Balkan Monitor.

Siç raporton agjencia e lajmeve, Mia, në Maqedoni, vendet e tjera të Ballkanit perëndimor vazhdojnë ta shohin hyrjen në BE si ideale, megjithatë optimizmi sa vjen e zbehet.

Për të gjitha qeveritë në Ballkan, hyrja në bllokun 27anëtarësh është angazhimi kryesor, thekson raporti.

Pesimistë ndaj ideve të Bashkimit Evropian duket se janë serbët, përfshi këtu edhe ata që jetojnë në Kosovë e Bosnje, përkatësisht 15 % e serbëve në Kosovë.

Të pyetur në lidhje me anëtarësimin Maqedonia, Serbia dhe Mali i zi shprehen se negociatat për anëtarësim mund të fillojnë në vitin 2010, ndërsa Shqipëria e Kosova e shohin të mundur brenda këtij viti.

Në Kroaci, e cila është më afër bllokut, 29 % mendojnë se anëtarësimi në do të ishte pozitiv, 26% negative dhe 38% nuk kanë mbajtur qëndrim lidhur me këtë çështje.

Sipas anketës, kroatët shpresojnë se vendi i tyre do të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2013./tvklan.al