Nuk është hera e parë që makinat e kompanive të ruajtjes fizike, që transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë, apo institucioneve të tjera, bëhen objekt i grabitjeve me armë. Pothuajse në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe në të paktën tre raste të tjera.
Më 13 Shkurt 2015, një filial banke në Stacionin e Trenit u grabit nga disa persona të armatosur, të cilët u afruan në ambientet e saj të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, i detyruan punonjësit t’u japin dy thasë me para nga mjeti i blinduar, i cili në ato momente po bënte transportin e tyre. Grabitja ndodhi në parkimin e ndërtesës ku gjenden zyrat e bankës. Përpara se të largoheshin, autorët qëlluan në ajër. Për këtë rast, policia arrestoi 7 punonjës civilë të kompanisë private të ruajtjes fizike dhe një prej drejtorëve të Departamentit të Sigurisë së Bankës.
Në 27 Prill të 2015, një automjet i një kompanie të sigurisë fizike, që po trasportonte para të disa bizneseve private të një qendre tregtare, u grabit në rrugën dytësore, përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Tre persona të maskuar dolën nga një Mercedes 240 dhe nën kërcënimin armës morën paratë, që arrinin në shumën e 2 milionë lekëve. Dy policët privat mbetën të bllokuar në automjet për më shumë se 50 minuta, duke mos kryer asnjë lëvizje, pasi dyert e makinës u bllokuan nga përplasja.
Më 3 Dhjetor 2015, 4 persona të armatosur me uniforma policie grabitën një automjet të blinduar, që i përkiste një kompanie private të sigurimit fizik dhe po trasportonte paratë e një banke të nivelit të dytë. Grabitja ndodhi në rrugën Tiranë – Rinas, në kryqëzimin e Laknasit, kur paratë po dërgoheshin drejt aeroportit. Autorët fillimisht ndaluan mjetin e blinduar dhe një makinë tjetër shoqëruese dhe më pas, në kërcënimin e armëve, detyruan punonjësit t’u japin paratë.
Tv Klan