Ministria e Drejtësisë ka reaguar nëpërmjet një njoftimi për media në lidhje me informacionet për dhënie leje shpërblyese për të burgosur në të gjitha IEVP të vendit. Ministria sqaron se që prej datës 7 Qershor është vendosur pezullimi i të gjithë lejeve shpërblyese deri në urdhër të dytë.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:
Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar ditën e djeshme në emisionin Stop (TV Klan), se në IEVP Fier janë dhënë më datë 20.06.2019 leje shpërblyese për 40 të burgosur, çmojmë të nevojshme të përgënjeshtrojmë këtë lajm dhe të informojmë publikun se asgjë nga sa është publikuar në lidhje me lejimin e 40 të burgosurve të dalin me leje shpërblyese, nuk është i vërtetë.
Për të parandaluar fenomene të së kaluarës, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve (më datë 07.06.2019, nr. 5211) është vendosur pezullimi i të gjitha lejeve shpërblyese për të gjithë të dënuarit. deri në një urdhër të dytë.
Duke vlerësuar maksimalisht rastin e denoncuar nga emisioni Stop, sot në datë 21 Qershor, Ministria e Drejtësisë me të gjitha strukturat e saj SHKBB dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë kryer hetime dhe verifikime dhe nuk rezulton asnjë i dënuar me leje shpërblyese, jo vetëm për IEVP Fier por në të gjithë IEVP-të në vend.
Bazuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë dhe planit të masave të Drejtorit të Përgjithshëm, si pasojë e zbatimit të regjimit të posaçëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve, janë marrë masa shtesë për sigurinë në sistemin penitenciar./tvklan.al