Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Parlamenti ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për ministrin e sapoemeruar të Rendit Publik, Spartak Poçi. Dekreti i Mejdanit për emërimin e Poçit në krye të Rendit, nuk u është paraqitur deputetëve për votbesim. Megjithatë kjo s’e ka penguar Spartak Poçin të nisë detyrën e re.

Dje në mbrëmje ai ka shkelur për herë të parë zyrën e Ministrit të Rendit, për tu njohur me bashkëpunëtorët e afërt. Asnjë koment nuk ka dhënë Poçi për planet e tij në të ardhmen. Vendosja e Poçit në krye të rendit i ka dhënë shkas opinioneve të ndryshme në gjirin e socialistëve. Për TV Klan janë prononcuar Meta, Nano dhe Fino.

Ilir Meta:- “Unë nuk pyes për akuza që kanë të bëjnë me thashetheme. Më vjen keq kur ministrat merren me këto punë”.

Fatos Nano:- “Ky ishte një debat normal që s’kishte të bënte fare me Poçi-Koçin, apo Koçi-Poçin”.

Gazetari:- Pse nuk e deklaruat votën për Poçin dje, keni ndërruar mendje sot?

Fatos Nano:- “Nuk e di çfarë të tha Koçi ty po unë jam me të njëjtën
mendje”.

Gazetari:- Mendoni që nuk është më pengesë Poçi në Kryesinë e Tiranës, pra kryetari i degës për të krijuar mundësinë që ju të vini përsëri në postin e kryetarit, i cili ju ka sulmuar gjithmonë nga baza?

Fatos Nano:- “Me këtë variant duhet të gjeni sa vjeç ka qenë gjyshja e portierit, se nuk është ky kriteri i logjikës”.  

Bashkim Fino:- “Mua më duket normale si Koçi si Poçi, pavarësisht se kanë prapashtesa të njëjta. Janë socialist, aq më tepër që Spartak Poçi është Kryetari i Degës Tiranë. Ndihmesat e tyre në Partinë Socialiste kanë qenë të të dyve shumë të mëdha. Kërkova që dhe ministra të tjerë të Qeverisë Majko të diskutojnë me përgjegjshmëri, duke menduar që të mos na vinë nesër pasneser ndonjë ministër tjetër si puna e Petro Koçit”.

Gazetari:- A ekzistojne plane mafioze në PS, në kuptimin që e ka deklaruar vetë Koçi në kontrabandë, në doganë?

Bashkim Fino:- “Unë nuk di të ketë të tilla megjithatë Koçi le t’i vërtetojë, t’i
paraqesi dhe do t’i bëjë mirë partisë. Nuk ka shumë fuqi Berisha dhe aq më pak pastaj Majko që të bashkohet me Berishën për të rrezuar Qeverinë Socialiste. Socialistët janë të shumtë dhe nuk duan t’ja dinë as për Berishën, as për Majkon, as për Finon, nëqoftëse duhet t’i dorëzojë qeverinë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame