Zyra e komisionerit evropian për zgjerimin, Olli Rehn, reagoi për grevën e urisë së deputetëve.
Nuk mund të ndërhyjmë në çështjet teknike të brendshme që diskutohen në Shqipëri për përbërjen e komisionit zgjedhor. Ky kompozim duhet të jetë subjekti i një debati të hapur në parlament me të gjitha partitë politike pasi vendi i duhur për debatin dhe ushtrimin e demokracisë është parlamenti, deklaroi zëdhënësja Christine Ofman.
Ajo shtoi se komisioni evropian mirëpriti miratimin e ligjit të ri elektoral nga shumica që bënë të mundur një sistem të ri zgjedhor në Shqipëri.
Komisioni Evropian kërkon që kodi i ri duhet miratuar sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe i drejtë dhe të bëhet nën kushte besimi të të gjitha partive politike, tha Ofman.
Arta Tozaj: “Duke mbajtur parasysh faktin se zgjedhjet e ardhshme përbëjnë kushtin kyç për përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian komisioneri për zgjerim, Olli Rehn, sugjeron që debati mbi kodin e ri elektoral duhet të mbyllet brenda sallës së parlamentit me një dialog gjithëpërfshirës me qëllim që ky proces zgjedhor të mos jetë i kontestueshëm më pas. Për TV Klan, Arta Tozaj, Bruksel.”/tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj