Disa minuta pas prezantimit të progres-raportit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, tha në një konferencë për shtyp se Shqipëria ka bërë një progres te dukshëm në reformat e kërkuara nga blloku dhe se qeveria e re shqiptare ka një mundësi reale për ta sjellë vendin pranë statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian.

Olli Rehn: “Shqipëria po bën një progres të mirë në reforma, por duhet të shtojë ritmin e punës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në përmirësimin e kapaciteteve administrative. Qeveria e re është një dritare e vërtetë mundësie për të përshpejtuar reformat dhe ta sjellë vendin më pranë statusit të kandidatit. Përsa i përket kësaj këshilli evropian po reflekton mbi kohën se kur do ti kërkojë komisionit opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë”.

Rehn garantoi se BE synon të materializojë perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Olli Rehn: “Strategjia e zgjerimit është një demonstrim i qartë i përkushtimit tonë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në këto kohë të vështira ekonomike, aplikimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi thekson rolin e fuqishëm të Brukselit në promovimin e paqes sigurisë dhe begatisë në rajon”.

Përsa i përket Kosovës, KE vlerëson qëndrueshmërinë në shtetin me të ri, por thekson se Kosova akoma mbetet e brishtë.

Në një dokument të veçantë Komisioni Evropian propozon të sjellë qytetarët e Kosovës më pranë Brukselit nëpërmjet një dialogu vizash me perspektivën e një liberalizimi të mëtejshëm të tyre, vetëm kur të ndërmerren reformat dhe të përmbushen kushtet e nevojshme./tvklan.al