Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Republikane kërkon rivendosjen e dënimit me vdekje. Aleksandër Garuli, sekretar i përgjithshëm i PR, deklaroi sot, se mosveprimi i shtetit po i jep më shumë hapësirë krimit, megjithëse Shqipëria ka ratifikuar protokollin numër 6 për heqjen e dënimit me vdekje tek nenet 2 dhe 5 të këtij protokolli, u lejohet vendeve anëtare të rivendosin dënimin kapital, për një periudhë të caktuar, theksoi Garuli. Fuqizimi i pushtetit të krimit rrezikon të krijojë psikozën e terrorit sidomos tani në prag të fushatës zgjedhore sipas tij.

Partia Lëvizja e Legalitetit është e shqetësuar për situatën e rëndë me të cilën po përballen shqiptarët. Krimi po merr përmasa të jashtëzakonshme, duke vënë në shënjestër njerëzit me uniformë. Sipas nënkryetarit të legalistëve Murat Basha, zgjidhja e problemit të kriminalitetit nuk është rikthimi i dënimeve kolektive siç është internimi, por sipas tyre, zgjidhja më efikase do të ishte vendosja e dënimit duke kërkuar konsensusin e BE dhe duke imituar SHBA.

Partia Balli Kombëtar Shqiptar ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhjet lokale të 12 Tetorit. Sipas numrit një të kësaj partie Shpëtim Rroqi, formula e ofruar për aleanca parazgjedhore nga PD, nuk ishte aspak serioze, por ka shtuar ai, ne jemi të gatshëm për të përballuar fushatën elektorale me kandidatë në të gjithë territorin. Në këtë takim, këshilli kombëtar i kësaj partie ka përcaktuar qëndrimin e tij në zgjedhjet lokale, ku sipas tyre socialistët duhet të largohen nga pushteti me anë të votës së lirë, me qëllim që ekonomia të eci përpara. Gjithashtu PBK ka theksuar se do të jetë e hapur me aleatët, aty ku do të jetë i mundshëm./tvklan.al