Reshjet e shiut që kanë vijuar pa ndërprerje për dy ditë rresht kanë sjellë problematika në aksin rrugor Berat-Poliçan dhe Poliçan-Skrapar. Sipas asaj që raporton gazetarja Anila Sefa, rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave nga shpatet e malit përgjatë këtij aksi, kanë vështirësuar qarkullimin e automjete drejt Poliçanit dhe Skraparit.
Pjesët më problematike paraqiten në fshatin Vodicë dhe në Bogovë, ku që prej mëngjesit ka rrëshqitje të vazhdueshme gurësh dhe dherash. Prezenca e gurëve në rrugë, sipas gazetares, jo vetëm që ka sjellë vështirësi në qarkullim, por në këto dy akse ka rrezik shkaktimi aksidentesh për mjetet që qarkullojnë aty, sidomos për ata drejtues mjetesh që kalojnë për herë të parë në këtë rrugë.
Rënia e gurëve në krahun e faqes kodrinore, ka bërë që, që prej mëngjesit të sotëm rruga drejt Poliçanit dhe Skraparit të qarkullohet vetëm në njërin sens. Për normalizimin e situatës në këtë aks dhe informimin e drejtuesve të mjeteve për problematikat në rrugë, DVP Berat ka shtuar drejt këtij aksi forcat e qarkullimit rrugor, të cilët janë pozicionuar në 3 pika kyçe të rrugës.
Përpos efektivëve të policisë së Beratit, në akset problematike kanë dalë edhe shërbimet e pastrimit të bashkisë Poliçan, të cilët po kryejnë edhe heqjen e gurëve, sa herë që ka rrëshqitje nga zona kodrinore shkëmbore./tvklan.al