Shqipëria mund të njihet si vendi i preferuar i pushimeve të Dua Lipës e cila e ka promovuar shpesh vendin tonë për miliona ndjekës në rrjetet e saj sociale.
Megjithatë, vendi ynë sipas revistës së njohur australiane ‘Elle’ është shumë më tepër se destinacioni i dashur i ylli të muzikës pop.
I pozicionuar në detin Adriatik afër Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria ka peizazhe të paharrueshme që shumë pushues i ëndërrojnë. Histori e pasur, kuzhinë cilësore, plazhe të fshehura në jug dhe shtigje të famshme alpine për ecje në veri janë vetëm disa nga arsyet se pse Shqipëria po zgjidhet nga turistët e huaj për të shijuar pushimet e tyre.
Më kryesorja është edhe fakti se është një destinacion shumë më i përballueshëm se pikat më të njohura si, Greqia, Italia, madje edhe Kroacia. Është e pamundur të njohësh të gjithë Shqipërinë në vetëm një udhëtim.
Megjithatë, kjo media ka rekomanduar disa nga pikat që duhen parë. E nis me qytetin e Shkodrës që ofron një histori të pasur përmes Kalasë së Rozafës dhe më pas mund të vizitohet edhe liqeni i famshëm i Shkodrës.
Vijon me atraksionet në veri si Thethi dhe lumi i Shalës. Në bujtinat e Thethit turistët do të përjetojnë mikpritjen shqiptare dhe do të mund të shijojnë kuzhinën tradicionale. Lumi i Shalës është i njohur për ujrat e pastra kristal dhe kjo është arsyeja pse ka fituar reputacionin si një nga atraksionet natyrore më të bukura të Shqipërisë.
Ndërkohë përfundon me atraksionet turistike në jug si Ksamili dhe Himara, të dyja destinacione që njihen për plazhet e tyre.
Klan News