Rey Manaj ishte një nga lojtarët më të spikatur në kampionatin turk, për sezonin e fundit. Sulmuesi i Shqipërisë, realizoi plot 18 gola në Superligë, duke rivalizuar me emra të mëdhenj si Dzeko dhe Icardi, për “Këpucën e Artë”.

Interesimet për lojtarin lushnjar kanë qenë të shumta dhe pritej një lëvizje në verë, por deri tani nuk ka ndodhur.

Manaj është rikthyer në stërvitje me Sivasspor, ndërsa luajti titullar në ndeshjen e kampionatit ndaj Trabzonspor.

Megjithatë, ende ekziston mundësia që 27-vjeccari të ndryshojë skuadër. Vetë Manaj, në një prononcim të dhënë për mediat turke, e la të hapur mundësinë për të ndryshuar ambient.

“Ne jemi takuar me klubin gjatë kësaj merkatoje. Gjithçka është në zhvillim e sipër. Nuk e di nëse do të largohem apo do të qëndroj. Unë e dua shumë këtë vend. Gjithmonë më kanë trajtuar mirë këtu. Nëse do duhet që unë të qëndroj, sigurisht që do e bëj.”, deklaroi sulmuesi.

Gjatë kësaj merkatoje, është përfolur për interesime nga Italia për Manajn, ku në skenë kanë dalë Lazio dhe Como, ndërsa është përfolur edhe për oferta nga Arabia Saudite apo Katari. /tvklan.al