“E diela shqiptare” rikthehet në TV Klan me një format të ri, skenë moderne dhe shumë surpriza të tjera.
Spektakël, argëtim, muzikë, humor, ngjarje, gjithçka në transmetim direkt. Provat për hapjen e sezonit të ri kanë nisur prej disa ditësh, ndërsa në natën finale të tyre duket se i gjithë stafi duke nisur nga vetë producenti Ardit Gjebrea kanë harruar të pushojnë.
Ardit Gjebrea: “Sigurisht ka mbetur më pak se 24 orë tashmë për të filluar spektaklin “E diela shqiptare”. Kemi munguar, por pa arsye dhe nesër shqiptarët do ta kuptojnë”.
Por çfarë ofron kjo e diel e 1 Shkurtit?
Ardit Gjebrea: “Është një grup baleti i ri, është një band i ri, vijmë me humor të ri, vijmë me një strukturë deri diku të ndryshuar dhe mbi të gjitha me një shtëpi të re. Që nga sekondi i parë nuk duhet të mungoni sepse është shumë i rëndësishëm dhe deri në sekondën e fundit kur duhet ta mbyllim sepse përsëri kemi një gjë të rëndësishme. Të gjitha sekondat do të jenë shumë të vlefshme tek “E diela shqiptare”. Garantoj (qesh)”.
Ashtu siç thotë dhe vetë Gjebrea gjithçka vjen ndryshe me skenografi të re po sërish nga dora e mjeshtrit italian, Gaetano Castelli, autorit të gjithë skenografive në programet televizive të Rait dhe 14 edicioneve të San Remos si dhe regji të Pali Kukes.
Muzika është ndër themelet më të forta të këtij emisioni që mban teleshikuesit të mbërthyer pas ekranit të TV Klan.
Shpëtim Saraçi: “Shpresoj, dmth, se do bëjmë pak a shumë gjithçka që do të jetë e nevojshme për spektaklin. Kemi emocione, gjithsesi uroj më të mirën”.
Bashkëpunëtorët mbeten po emra të njohur të artit shqiptar duke servirur një mori komponentësh të rëndësishëm që e bëjnë “E diela shqiptare” të jetë emision me nivel të lartë shikueshmërie.
E si mund të mbyllet më mirë një javë dhe të nisë një e re? Vetëm me “E diela shqiptare”, çdo të diel duke nisur nga 1 Shkurti në orën 13:30./tvklan.al