Shkolla “Myslym Keta” në Kombinat është rindërtuar me kapacitet më të madh pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019. Në përurimin e ambienteve të reja, Kryebashkiaku Erion Veliaj, u shpreh se godina e re nuk i shërben vetëm nxënësve dhe mësuesve, por edhe komunitetit të zonës.

Unë besoj se shkollat janë vërtetë qendrat e gravitetit moral të një shoqërie. Nuk kemi ndërtuar vetëm një godinë. Kemi ndërtuar një komunitet. Kështu që shpresoj ta gëzoni, të na nderoni. Besoj që dija është e vetmja gjë që një fatkeqësi natyrore nuk ta merr. Sot që po shikojmë për uraganet në SHBA, po afron 5-vjetori i tërmetit. Kjo shkollë u ndërtua prej historisë së tërmetit, kuptojmë që ndërtesat fizike, rraqet, makinat, pronat që kemi, mund t’i marrë një fatkeqësi, mund t’i marrë një tërmet, zjarri, lumi. Por dijen nuk e merr askush.”

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se ashtu si edhe shkollat e tjera, rindërtimi i gjimnazit “Myslym Keta” në vendin ku ndodhej, i rrit vlerën edhe pronave të zonës.

Klan News