Rikthimi i “Njerëz dhe fate” ka qenë i mezipritur për shumë shqiptarë. Filmi pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm sa dhe seriali i dy dekadave më parë. Sipas asaj që bën të ditur Arben Derhemi pjesa më e madhe e aktorëve do të jenë po ata që kanë luajtur dhe në seria.

Megjithatë pas publikimit të trailerit ajo që bëri më shumë përshtypje ishte mungesa e figurës së njohur, Robert Ndrenika. Në serial ai kishte një ndër rolet kryesore, ai ishte Durimi, babai i Florit.

Nga studioja e “Shije Shtëpie” në Tv Klan Arben Derhemi tregohet i rezervuar dhe nuk jep një përgjigje të prerë nëse aktori aq i dashur, Robert Ndrenika është pjesë e kastit të aktorëve.

“Nuk mund të klonojmë personazhe,” kështu është shprehur ai teksa shton se dëshira për të pasur të gjithë aktorët në film ka qenë shumë e madhe, por sipas tij mundësitë kanë qenë më të pakta. Megjithatë ai shton se shumë aktorë të cilët nuk kanë mundur të jenë figurantë në film, kanë dhënë mbështetjen e tyre në “backstage”.

Katerina Trungu: Çfarë ndodh me këta personazhe që nuk janë më? Për shembull Lola do të jetë?

Arben Derhemi: Lola jo, kurse Didi po rikthehet. Por ne i kemi lënë gjërat që edhe publiku ta shijojë rikthimin. Shqiptarët kanë një të keqe shumë të madhe që duan të dinë të gjitha gjërat pa dalë filmi dhe pastaj nuk do të shohin filmin. Pastaj kemi pasur personazhe që janë të pamundur të xhirojnë, janë të pamundur që të jenë me ne. Kemi dashur që ta kuptojnë që të gjithë ata që shkruajnë lart e poshtë, që ne kemi 10 herë më shumë dëshirë se ata që shkruajnë që të jenë personazhe të tillë në filmin tonë, por në pamundësi nuk mundet të klonojmë personazhe, as me Inteligjencën Artificiale nuk mund t’i realizojmë dot. Aq mundësi kishim dhe aq mundëm të bëjmë. Bëmë më të mirën tonë dhe bëmë atë që nuk besoj se mund ta bënte njeri. Megjithatë me të mirat dhe më të këqijat e veta, të gjitha personazhet kanë qenë pjesë e realizimit të filmit. Edhe ata të cilët nuk kanë marrë pjesë figurativisht në realizmin e filmit, kanë marrë pjesë në “backstage” mbrapa, na kanë mbështetur.

Katerina Trungu: Mes të cilëve edhe zoti Ndrenika./tvklan.al