Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni deklaroi se hyrja e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, pritet të jetë e shpejtë pasi zgjerimi i Unionit rrit nivelin e sigurisë në Evropë.

Në një konferencë për shtyp me homologun Basha, ministri Maroni garantoi se në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Brendshëm, të vendeve anëtare të BE-së, Italia do të mbështesë kërkesën e Shqipërisë për liberalizimin e vizave.

Roberto Maroni: “Italia mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për të realizuar detyrimet për një anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në mënyrë të veçantë Italia mbështet Shqipërinë për liberalizimin e vizave. Në Këshillin Evropian të Ministrave të Brendshëm që do të zhvillohet në fund të muajt nëntor, do të vendoset për liberalizimin e vizave për disa vende të Ballkanit dhe unë gjykoj që ky këshill do të vendosë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010.”

Ministri italian e vlerësoi Shqipërinë, si një partner shumë të rëndësishëm strategjik në terrenin e sigurisë, ndaj beson se bashkëpunimi do të jetë i dobishëm në termat e shkëmbimit të informacionit, të njerëzve dhe të të gjitha elementeve të tjerë.

Roberto Maroni: ” Jemi shumë të kënaqur me marrëdhënien e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. I shpreha kolegut Basha bindjen se këto marrëdhënie e kanë forcuar sistemin e sigurisë dhe të gjithë rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Kemi intensifikuar bashkëpunimin, kemi edhe struktura të përbashkëta që punojnë në strukturën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe trafikut të klandestinëve.”  

Ministri Basha, duke folur për arritjen e standardeve për heqjen e vizave, tha se puna e bërë nga qeveria shqiptare në luftën kundër trafikut dhe krimit i ka dhënë rezultate pozitive.

Gjithashtu ai vlerësoi edhe ritmet e larta të pajisjes se qytetareve me pasaporta biometrike dhe sigurimin e kufirit.

Lulzim Basha: “E informova gjithashtu kolegun Maroni për fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar, miratimin e ligjit Antimafia, të ligjit për konfiskimin e aseteve, qëllimi i të cilave është të vështirësojnë edhe më tej ambientin kriminal duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të sigurta të Ballkanit Perëndimor dhe duke siguruar një nga ambientet më armiqësore ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Instalimi i sistemeve teknologjike që ndërlidhin të gjithë pikat e kontrollit kufitar me njëra tjetrën. Pajisja e tyre me sistemin e avancuar Teams. Themelimi i qendrës operacionale në Tiranë, ndërlidhja e tyre e drejtpërdrejtë me interpolin. Shkëmbimi i të dhënave në kohë reale midis policisë kufitare shqiptare, asaj italiane, policive të tjera të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ndërlidhjen e këtyre rrjeteve të informacionit më rrjetet e informacionit të të dhënave kriminale Memeks, që sot është operacional në Tiranë dhe brenda javës në të gjithë rrethet e tjera të vendit. Ishin disa prej informacioneve që unë ndava me ministrin Maroni sa i përket ecjes përpara për përmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave nga ana e Shqipërisë.”

Ministri Maroni është ftuar nga homologu Basha të shohë nga afër sallën operacionale në drejtorinë e policisë si dhe mënyrën e marrjes së informacionit mbi hyrje daljet në pikat e kalimit kufitar. Identifikimi i personave me precedent penal si dhe çdo informacion mbi krimin e organizuar.

Në këtë vizitë të parë në Shqipëri, Ministri Maroni ka rikonfirmuar edhe njëherë se Italia është një ndër mbështetësit kryesorë të integrimit evropian të vendit tonë.

I impresionuar nga ajo çka ka parë në qendrën e personalizimit të pasaportave biometrike, Ministri i Brendshëm italian ka vëzhguar procesin e prodhimit të dokumentit të ri identifikues për shqiptarët.

Me një gjuhë teknike, por aspak të pakuptueshme Maroni ka mësuar për të gjitha elementet e sigurisë që ka pasaporta e re, duke u kthyer në një nga dokumentet më të sigurt për tu identifikuar dhe lëvizur brenda dhe jashtë vendit.

I shoqëruar nga ministri Basha, Maroni ka marrë kështu një garanci më shumë për standardet që ofron shteti shqiptar në pajisjen e qytetarëve me dokumentet e reja të identifikimit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani