Lejet e qëndrimit për emigrantët në Itali do të jenë me pikë. Ky është vendimi i ministrisë së brendshme dhe asaj të punës sipas të cilëve që një emigrant të pajiset me këtë dokument do t’i duhet të firmosë një marrëveshje për integrimin, e cila nga ana tjetër është e shoqëruar me një sërë detyrimesh që një emigrant duhet të kryejë për të patur 30 pikët e nevojshme të lejes së qëndrimit.

Ky dokument do të jetë i vlefshëm për dy vjet. Emigrantit i kërkohet jo vetëm që të mësojë gjuhën italiane dhe kushtetutën, por edhe të ketë sigurime shëndetësore e të çojë fëmijët në shkollë.

Nëse nuk i mbush të tridhjetë pikët e nevojshme, aplikanti do të ketë një vit për të përmbushur kërkesat dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë e pret dëbimi nga Italia.

Kështu emigrantët do të jenë si në një shkollë ku mungesat dhe notat e mira janë të vlefshme për të kaluar klasën.

Ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, sqaroi se ky sistem garanton integrimin e emigrantëve në komunitet, por për Partinë Demokratike në opozitë, ky sistem i ri favorizon emigracionin e paligjshëm dhe është një lotari skandaloze sociale, ku juria mashtron që në fillim./tvklan.al