Një prej të mbijetuarave të ortekut që shkatërroi hotelin Rigopiano në Itali rrëfeu për median se kishte ngrënë akull dhe dëborë për të shuar etjen gjatë 58 orëve që qëndroi nën rrënoja.
22-vjeçarja Georgia Galassi është një prej nëntë personave që u nxorën të gjallë nga rrënojat e hotelit në Italinë qendrore. Grupet e shpëtimit shpresojnë se ende mund të gjejnë të mbijetuar nga 24 që rezultojnë të humbur. Deri më tani janë gjetur 5 trupa të pajetë.
Zyrtarët italianë thanë se orteku i dëborës – me peshë rreth 120 000 tonë – goditi hotelin me një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë. Koha e keqe ngadalësoi operacionet e kërkim shpëtimit.
Orteku e goditi hotelin rreth orës 17:00 të Mërkurën, kur shumë prej mysafirëve ishin mbledhur në hyrje të hotelit në pritje të evakuimit pas tërmeteve të shumta që kishin goditur zonën.
Georgia, studente, ishte duke pritur në hollin e hotelit së bashku me të fejuarin e saj Vincenzo Forti, 25-vjeç, kur goditi orteku.
“Gjithçka u shpërbë dhe nuk kuptova asgjë,” tha ajo për “Corriere Della Sera”.
E reja tha se ajo kishte menduar se hoteli ishte groposur në tokë.
“Ishte errësirë. Nuk vinte asnjë zë nga jashtë. Zërat tonë ushtonin.”
Ajo dëgjoi një grua që kërkonte të fejuarin, dhe një burrë nga Roma që kishte plagë në krah. Një nënë e cila ishte me të birin e përqafoi atë dhe kërkoi të gjente të bijën.
“Të gjithë fëmijët u sollën shumë mirë, nuk qanin për asnjë moment,” tha ajo, teksa kujton se për vete ka qarë shumë herë.
Georgia ishte shumë falënderuese ndaj të fejuarit të saj, i cili “ asnjëherë nuk pati ndonjë dyshim se do të shpëtonim.”
Ajo tregoi se nuk kishin asgjë për të ngrënë. “Asgjë. E vetmja gjë që hanim ishte akulli. Kishim plot dhe kjo na mbajti gjallë.”
“ E kam humbur sensin e kohës, ende nuk e kam rikuperuar. Por, mendoj se zgjati dy ditë, ndoshta pak më shumë,” tha Georgia për 58 orët që qëndroi e izoluar.
Të premten (rreth orës 11:00) u dëgjua një zë makinerie, më pas zë njerëzish.
“Unë jam Georgia, dhe jam gjallë,” u përgjigj ajo. “Ishte gjëja më e bukur që kam thënë ndonjëherë,” thotë studentja./tvklan.al