Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Ballit Kombëtar Shpëtim Rroqi dhe kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, kanë hedhur poshtë deklaratën e Ministrit të Rendit Luan Rama bërë sot në parlament, se forcat policore nuk kanë ushtruar dhunë ndaj të përndjekurve politikë gjatë protestave të tyre.

Rroqi gjatë një konference për shtyp ka deklaruar, se disponojnë kaseta filmike, ku dëshmohet e kundërta e deklaratës së ministrit Rama, që forcat e rendit kanë goditur shumë prej protestuesve, për të mos i lejuar ata të zhvillojnë një protestë, që sipas tij është më se e ligjshme dhe e drejtë.

Shpëtim Rroqi:- “Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partia e Ballit Kombëtar, hedhin poshtë me neveri deklaratat e papërgjegjshme të ministrit Rama, se protesta ka qenë e paligjshme dhe se nuk është ushtruar dhunë”.

Ndërkaq në një deklaratë për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet, se ish-të përndjekurit politikë, janë bërë viktima të dhunës policore, madje preh e kësaj dhune është bërë edhe një deputet i Ballit Kombëtar. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar qeverisë, që të përdor të gjitha mjetet, për të vënë rregull dhe për t’i kërkuar forcave të rendit, të tregohen më të qytetëruara në lidhje me qytetarët civil./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka