Ndërtimi i rrugës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, Durrës-Kukës do të sjellë një bum turistësh në Shqipëri. Kështu shkruan në faqen e saj të internetit agjencia “Shkruaj për pronën”, e cila thotë se realizimi i këtij projekti gjigand do të sjellë po ashtu një zhvillim të dukshëm të ekonomisë shqiptare.
Në shkrim thuhet, se Durrës-Kukës është projekti që do t’i japë një shtysë të madhe sektorit të turizmit në Shqipëri, pasi autostrada, një nga projektet më madhore në gjithë rajonin, do të lidhë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit me bregdetin e mrekullueshëm të Shqipërisë.
Sigurisht që përfitimet nuk do të kufizohen vetëm në fushën e turizmit. Një përmirësim i dukshëm do të vihet re në marrëdhëniet e brendshme mes vendeve të rajonit. Me ndërtimin e kësaj rruge, do të intensifikohen marrëdhëniet tregtare, importet dhe eksportet të cilat, do të kenë një kosto më të ulët, një fenomen ky, që do të ndodhë brenda 5 vjetësh. Projekte të tilla, thuhet në shkrim, sjellin mundësi reale për zhvillimin e biznesit mes vendeve fqinje.
Kjo agjenci thekson gjithashtu se tashmë investitorët kanë kthyer sytë nga Shqipëria sa i takon investimeve mbi pronën. Kjo rritje e investimeve do të garantojë kështu, një rritje dhe të ardhme ekonomike të sigurt./tvklan.al