Një fluks mjaft i madh automjetesh është regjistruar ditët e fundit në autostradën Rrëshen-Kalimash, kryesisht me udhëtarë kosovarë që vijnë në Shqipëri për pushime apo tregti.
Shifrat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve rezultojnë të jenë 2 deri 3 herë më të larta nga pritshmëria në bazë të studimeve paraprake mbi qarkullimin në këtë autostradë.
Vetëm të dielën e kaluar në tunelin Thirrë-Kalimash janë numëruar gati 12 mijë makina, çka përbën dhe pikun më të lartë të automjeteve që nga 25 qershori, kur edhe u hap kjo autostradë.
Ylli Gjoni: “Të dhënat janë të tilla që na kanë suprizuar të gjithëve. Kam kënaqësinë ta deklaroj që kemi një dyfishim dhe gati dhe trefishim në ditë të caktuara të trafikut nga parashikimi ynë. Nga të dhënat që kishim me matjet me modelin orgjinë-destinacion kishim një vlerësim optimist për 4 mijë mjete në ditë. Aktualisht nga të dhënat që kam marrë së fundmi vlerësoj se kemi arritur deri në 12 mijë mjete në një ditë të vetme që ka qenë dita e diel data 19 Korrik.”
Gjoni tregon se fluksi më i madh i automjeteve kanalizohet nga Kalimashi në Rrëshen, ndërkohë që 90 % e automjeteve mbajnë targa kosovare apo maqedonase, që mendohet të mbërrijnë në Shqipëri kryesisht për pushime.
“Krejt kosovarët udhëtojnë edhe prej botës së jashtme nga Shqipëria në bregdetin shqiptar.”
“Kjo rrugë diçka është fenomenale si në Evropë, si në Gjermani e tjera shtete.”
“Kanë punuar rrugë të mirë, e kanë rregulluar e kanë sistemuar. Ka qenë shumë e nevojshme për të gjithë, për pasagjerët, për shoferat për të gjithë. Nga 6 orë me 3 orë janë gjysmë për gjysmë.”
“Kjo rruga shumë e mirë, kemi edhe kursime nga gomat e makinave, nafta.”
Në këto tri javë të hapjes së autostradës Rrëshen-Kalimash shifrat zyrtare flasin për mesë 110 mijë automjete që kanë lëvizur në tunel. Ky fluks automjetesh, përtej parashikimeve, sipas specialistëve është një ogur i mirë që kjo rrugë do ta justifikojë shumë më shpejt vlerën e investimit, falë impakteve në ekonominë shqiptare./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro