Kjo është autostrada Tiranë-Durrës dhe dy rrugët ndihmëse paralele, njëra funksionale dhe tjetra me ndërprerje.
Rrugët dytësore startojnë nga Vora dhe tentojnë të shkojnë deri afër portave të kryeqytetit, por segmenti perëndimor i saj vazhdon të jetë një rrugë me pengesa.
Në çdo një kilometër të këtij segmenti rruga ndërpritet, pengesë janë karburantet apo të tjera biznese të ngritura fare pranë superstradës në gjurmën ku është planifikuar të kalojë kjo rruga dytësore.
Një gjatësi prej 10 kilometrash kemi numëruar gati 10 pengesa të tilla nga të cilat 6 janë pika të tregtimit të karburantit.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ka mundur dot të zgjidhe problemin e pronësisë për të mundësuar ndërtimi e kësaj rruge dytësore në të gjithë gjatësinë e saj.
Bizneset thonë se nuk kanë marrë vlerën monetare për shpronësimin nga kjo drejtori, prandaj nuk mund të zhvendosin aktivitetin.
Të pyetur nga TV Klan drejtues të këtij dikasteri nuk kanë dashur të komentojnë mbi këtë çështje, por në fund të fundit ata që paguajnë janë me qindra biznese të tjera që ndodhen në të dy anët e autostradës Tiranë-Durrës.
Qëllimi i ndërtimit të rrugëve dytësore është ardhja në ndihmë pikërisht për këto biznese si dhe për komunitetin e banoreve që jetojnë në zonën përreth.
Mosfunksionimi normal i këtij segmenti është oksigjen i munguar për këtë zone industriale, e që dëmton biznesin e kompanive që zhvillojnë aktivitet.
Problem tjetër po kaq serioz është edhe siguria e lëvizjes. Automjeteve ju duhet të hyjnë e të dalin nga autostrada në rrugët dytësore në pika të tilla ku me të drejtë mungon sinjalistika, pasi rruga nuk është projektuar të prese superstradën në çdo një kilometër.
Një “cirk” i tillë mund të rezultojë fatal për drejtuesit e automjeteve./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro