Prej 2 vjetësh ky segment i rrugës dytësore në shërbim të autostradës Tiranë-Durrës vijon të jetë i paralizuar, duke penguar lëvizjen e automjeteve dhe vështirësuar aktivitetin e qindra bizneseve në këtë zonë. Arsyeja mbetet gjithmonë e njëjta.
Disa pika të tregtimit të karburantit dhe biznese të tjera janë vendosur përbri autostradës, pikërisht në gjurmën ku sipas projektit duhej të ndërtohej një prej segmenteve rrugore ndihmës, po e pengojnë atë.
Rrugët dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, startojnë nga Vora dhe tentojnë të shkojnë drejt portave të kryeqytetit, por ndërsa në njërin krah projekti ka përfunduar, segmenti jug-perëndimor i saj është kthyer në një rrugë me pengesa në çdo kilometër.
Në një gjatësi prej 10 kilometrash kemi numëruar plot 10 pengesa të tilla nga të cilat 6 janë pika të tregtimit të karburantit.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ministria e Transporteve nuk i kanë dhënë përgjigje interesit të TV Klan për të mësuar rreth shkaqeve zyrtare pse një segment i tillë rreth 10 kilometra i gjatë i nisur 2 vjet më parë nuk ka arritur kurrë të përfundojë.
Mesa duket drejtoria e rrugëve është e paftë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me pikat e karburantit.
Këto të fundit thonë se nuk kanë marrë vlerën monetare për shpronësimin nga kjo drejtori, prandaj nuk mund të zhvendosin aktivitetin.
Por cilat janë pasojat? Automjetet për të kaluar nga njëra pengese tek tjera janë të detyruara të hyjnë në autostradë në pika ku me të drejte mungon sinjalistika, pasi nuk janë pjesë e projektit të autostradës, duke u shndërruar në burime serioze për aksidente rrugore. Këto pamje flasin vetë…
Ky automjet pret autostradën duke lëvizur në sens të kundërt dhe futet në sheshin e pikës së karburantit.
Aty nuk bën furnizim, por është i detyruar të bëjë këtë manovër. Vijon më tej për rreth 50 metra, serish kundra-vajtje në autostradë dhe më në fund arrin të kaloje pengesën, por kjo ishte vetëm pengesa e parë e një cirku që fare kollaj mund të rezultonte fatal.
Nëse një drejtues automjetet do të udhëtonte drejt Vorës përmes kësaj rruge, duhet të vere kokën në rrezik edhe të paktën 9 herë të tjera.
Nga ana tjetër, mosfunksionimi normal i këtij segmenti është oksigjen i munguar për këtë zone industriale, pasi dëmton qindra kompani që zhvillojnë aktivitet në të dy anët e autostradës./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro