Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Sali Berisha: “Ne sërish do të ngrihemi. Në shkurt ne dhamë provën e parë, prova tjetër do të jetë përfundimtare, ne do fitojmë”.

Kështu është shprehur lidei i Partisë Demokratike Sali Berisha, në 6-vjetorin e vrasjes së deputetit demokrat, liderin e Lëvizjes Studentore për pluralizëm Azem Hajdari. Berisha ka përsëritur akuzën, se Hajdarin e eliminuan ata që sot janë në pushtet, e që sipas tij kanë ekzekutuar dhe të drejtën e votës së lirë.

Sali Berisha: “Projekti makabër i krimit është në zyrat e qeverisjes aktuale, është në zyrat e institucioneve aktuale, zbardhja e tij është kusht vendimtar për paqen sociale të këtij vendi. Fatos Nano i ka shpallur luftë të egër, të pa mëshirë, votës dhe lirisë së shqiptarëve”.

6 vjet më parë, Azem Hajdari u ekzekutua përpara selisë blu. Bashkë me Hajdarin në atentatin e 12 Shtatorit 98, humbi jetën dhe badigardi i tij Besnik Çera. Pas vrasjes Tirana u përfshi nga protestat dhe ngjarjet e dhunshme, ndërsa vite më pas prokuroria dhe gjykata i dhanë fund një procesi gjyqësor, proces i kontestuar nga palët dhe nga politika e djathtë. Vrasja e Hajdarit u pasua nga mjaft atentate, kryesisht në Tropojë, ku u eliminuan disa nga emrat e përfolur si të implikuar në këtë ngjarje. Bashkëshortja e të ndjerit ka falënderuar të gjithë ata që ruajnë kujtimin dhe idealet e Azem Hajdarit.

Në 6 vjetorin e vrasjes, kryetari i PD dhe mjaft deputetë, ish-kolegë të Azem Hajdarit, kanë përkujtuar të ndjerin dhe në shtëpinë e tij./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj