Ish-kryeministri Sali Berisha u takua me Presidentin Ilir Meta këtë të mërkurë. Ish-kreu i qeverisë pati një prononcim për mediat në përfundim të takimit.

Pasi u pyet nga gazetarët, Berisha deklaroi se nuk kishte diskutuar me Metën për shpërndarjen e parlamentit. Megjithatë theksoi se nëse do të kishte qenë President do ta kishte shpërndarë Kuvendin pasi është në shkelje të Kushtetutës.

“Do ta kisha shpërndarë. Ky parlament në vlerësimin tim nuk mund të mblidhej kurrë në Shtatorin që shkoi pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme sepse është në thyerje flagrante të Kushtetutës. Këta narko-trafikantë nuk mund të hynin dhe ti servireshin shqiptarëve si parlament, ndërkohë që parlamenti në Kushtetutë e ka caktuar 140 deputetë. Për mua ai parlament meritonte gozhdimin e dyerve që në Shtatorin e shkuar”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha foli për kapjen e drejtësisë sipas tij nga ana e kryeministrit Rama. Për sa i përket ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se Presidenti po mbron Kushtetutën. /tvklan.al