Një ditë përpara se gjykata të marrë një vendim për çështjen Babale, ish-deputeti Ervin Salianji doli në një konferencë për mediat ku tha se ka pasur një devijim të qëllimshëm të hetimeve për të lehtësuar Agron Xhafajn.
Sipas ish-deputetit, dosja është manipuluar pasi nuk janë zbardhur përgjimet, që tregojnë se drejtuesit e Policisë së Shtetit janë vendosur bnë dispozicion të Alfred Alizotit.
“Faktet tregojnë degradimin e shtetit dhe se në qeverinë e Ramës pushtetin real e ka krimi. Pjesë e hetimit është bërë vetëm opozita dhe media me një akuzë qesharake të sajuar politikisht. Kushdo që përfshihet në fabrikimin e një procesi politik do të trajtohet si bashkëpunëtor i krimit të organizuar. Askush nuk do i shpëtojë dënimit”, tha Salianji, i cili paralajmëroi se nesër do të publikojë prova shkencore që faktojnë në mënyrë më të plotë dhe të padiskutueshme të gjithë atë që opozita ka thënë deri më tani. /tvklan.al