Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së diskutuan në Kotorr planin e Rritjes Ekonomike, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë grante dhe 4 miliardë kredi të buta nga viti 2024 deri në vitin 2027 të kushtëzuara me zbatimin e reformave nga këto shtete.
Komisioneri në largim Oliver Varhely shpreson se pasardhësit e tij që do të zgjidhen pas votimeve evropiane do të mundësojnë anëtarësimin e shteteve ballkanike deri në vitin 2030.
Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerimin në BE: Komisioni i ri Evropian duhet që t’i përkushtohet zgjerimit që të kemi hyrjen e shteteve të reja si anëtare të BE-së deri në fund të mandatit pesëvjeçar. Jam i sigurt se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e BE-së në vitin 2030. Ne kemi hartuar projekte të pakthyeshme që ju mundësojnë juve deri në vitin 2027 të njëjtat fonde financiare si ato që u jepen shteteve aktuale anëtare.
Zv. sekretari amerikan i shtetit James O’Brien tha se prioritete i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë krijimi i një tregu të përbashkët monetar, ulja e kostove tregtare, lehtësimi i lëvizjes së mallrave si dhe krijimi i sa më shumë vendeve të punës.
James O’Brien, ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike: Ju mund të pyesni pse një amerikan është i pranishëm këtu. SHBA-ja e ka pjesë themelore të strategjisë së saj kombëtare ekzistencën e një Evrope paqësore dhe të sigurt. Kjo është në interesin tonë, është në të mirë të përparimit ekonomik, veçanërisht të këtij rajoni. Ne inkurajojmë tregun e përbashkët evropian. Plani i rritjes ekonomike është i prekshëm dhe i matshëm pasi ofron mundësi të reja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit nga sa kanë ekzistuar deri më tani.
Presidenti serb Vuiç, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor ndoshta do të presë edhe gjashtë vjet për t’u anëtarësuar në BE gjithsesi jo para Ukrainës.
Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë: Pyetja nuk është se kur do të hyjmë në Bashkimin Evropian, por nëse do të hyjmë së bashku me Ukrainën. Unë e di që askush nga ne nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, përpara Ukrainës. Me siguri them se ne do të presim edhe gjashtë vite për t’u anëtarësuar në BE Ju keni mendimin tuaj, por inteligjenca ime nuk gabon.
Ky ishte samiti i tretë rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në muajt e fundit. Dy të mëparshmet u mbajtën në Tiranë dhe Shkup, ndërsa samiti i radhës do të zhvillohet në Sarajevë.
Klan News