Në sfondin e marrjes së postit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron bëjnë thirrje për një Europë të fortë në kuadër të takimit në Paris.
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron nënvizuan në Paris, se “Europa nuk do të tulatet dhe as nuk do të fshihet, por do të jetë një partnere e vetëdijshme”. Nisur nga mandati i dytë i Trump në SHBA, Gjermania dhe Franca duhet tani më shumë se kurrë “të luajnë secila rolin e vet, për të konsoliduar një Europë të bashkuar, të fortë dhe sovrane”, theksoi Macron.
Scholz tha, se vendimet që ka marrë ndërkohë presidenti Trump, dua “t’i analizoj saktësisht bashkë me partnerët tanë europianë. Europa duhet të jetë e fortë dhe rezistente në një botë, që për ta formuluar me kujdes është në lëvizje“, theksoi kancelari gjerman.
Forcimi i aftësisë së konkurrencës dhe rritjes ekonomike
Duke iu referuarbashkëpunimit gjermano-francez Scholz theksoi rëndësinë e “agjendës së përbashkët për aftësinë e konkurrencës dhe rritjes ekonomike”. Presidenti francez Macron në të njëjtin kontekst mbështeti pozicionin e kancelarit Scholz duke shtuar, se: “Ne jemi saktësisht në një linjë, për të ndjekur një politikë ambicioze të konkurrencës”, duke tërhequr vëmendjen po ashtu si edhe Scholz për shmangien e burokracisë si dhe për mbështetjen e sektorëve kritikë si industria e automobilëvë, e çelikut dhe ajo kimike.
Takimi në Paris (22.01.2025) u zhvillua në kuadër të 62 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Elysée-së, që konsiderohet si themeli i miqësisë gjermano-franceze./DW