Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme për përfshirje në korrupsion zgjedhor dhe u dënua me 1 vit burg. Për të parin e Rrogozhinës, treshja e gjyqtarëve vendosi gjithashtu përjashtimin e tij nga detyrat publike për 5 vite.
Memolla është kryebashkiaku i parë që dënohet për korrupsion zgjedhor, megjithatë ai do të vijoj të qendrojë në detyrë deri në një vendim të formës së prerë dhënë nga Apeli. I pyetur për vendimin, kryebashkiaku zgjodhi të mos komentojë gjatë.
“Presim të zbardhet vendimi, pastaj do të kemi një deklaratë më të qartë. Do jua japim edhe ju mediave, do e publikojmë”, u shpreh Memolla.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Për Prokurorinë e Posaçme e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Memolla kërkoi pafajësi gjatë procesit gjyqësor.
Tv Klan