Personat që kanë krijuar varësi nga alkooli dhe duan të shkëputen prej tij mund t’i thonë stop alkoolit me anë të ndihmës mjekësore që mund të marrin në klinikën trajtuese të varësisë alkoolike që hap dyert së shpejti.
Të alkoolizuarit që do të kërkojnë ndihmën e kësaj klinike do të qëndrojnë aty një muaj për t’u trajtuar me medikamente dhe psikoterapi në grup.
Sokol Morina: “Pas një vizite të përzgjedhur do shtrohen në spital dhe do trajtohen në kushte spitalore. Trajtimi zgjat një muaj dhe konsiston në kombinimin e psikoterapisë me farmakoterapinë që s’është gjë tjetër, dmth, vetëm dhënia e një medikamenti të njohur, “Antabuse”, ose “Disulfiram” dhe mbas trajtimit spitalor fillon trajtimi ambulator dhe konsiston në dhënien po të Disulfiramit edhe për 11 muaj të tjerë, njëkohësisht e kombinuar edhe në kushtet ambulatore me psikoterapi”.
Kjo klinikë është ndërtuar pranë spitalit psikiatrik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe është e para në vendin tonë.
Ajo është e projektuar nga shkolla evropiane e alkologjisë dhe psikiatrisë ekologjike të Udinese në Itali në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Në bazë të studimeve të bëra në vendin tonë rezulton se 7% e popullsisë konsumon alkool mbi normën e lejuar, ndërsa 2% e tyre kanë krijuar varësi ndaj alkoolit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami