Disa miliona euro pasuri u janë sekuestruar vëllezërve Habilaj dhe familjarëve të tyre, si të dyshuara se janë produkt i aktiviteteve kriminale. Vendimi është marrë nga gjykata, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sekuestro u është vendosur edhe disa pasurive, të cilat janë në emër të familjarëve të Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.

31 pasuri të paluajtshme, mes tyre apartamente, troje dhe makina që nuk mund të tjetërsohen nga Habilajt. Konkretisht, në listën e pronave të sekuestruara, të bëra publike nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë 9 apartamente, vlera e të cilave varion nga 40 mijë euro deri në 200 mijë euro. 6 automjeteve të llojeve të ndryshme, vlerë e të cilave shkon në mijëra euro. Nën sekuestro është vendosur edhe një truall me vlerë 205 mijë euro. Të njëjtin fat kanë pasur dhe disa ndërtesa të cilat përdoreshin për biznes nga anëtarët e familjes Habilaj.

Për prokurorinë, këto pasuri janë produkt i aktivitetit kriminal të vëllezërve Habilaj, kryesisht në shitjen e kanabisit gjatë viteve 2013-2017.

Ata po hetohen sëbashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ky i fundit sipas prokurorëve u ka krijuar lehtësi në këtë aktivitet. Kërkesa për sekuestro e prokurorisë është firmosur edhe nga prokurori Besim Hajdarmataj, i cili tashmë është transferuar në Pogradec, me vendim të Arta Markut.

Tv Klan