Do të jetë një ndërrim vitesh në protestë ky për studentët serbë në Beograd. Ata kanë deklaruar se kur e gjithë bota do të festoje duhet të tregojnë se në Serbi nuk ka arsye për festë, por për drejtësi për 15 viktimat e tragjedisë së 1 Nëntorit në Novi Sad.
Serbia dëshmoi një rritje të tensioneve politike dhe sociale në vitin 2024. Në muajin Shkurt 2024, Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për Serbinë, duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për parregullsitë e zgjedhjeve parlamentare, dhe komunale. Hetimi nuk u zhvillua, megjithëse partitë në pushtet u zotuan për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për përmirësimin e kushteve zgjedhore. Skepticizmi në lidhje me vullnetin e tyre për ta bërë këtë vazhdon tek opozita dhe shoqëria civile.
Në Korrik 2024, BE dhe Serbia nënshkruan një Memorandum për Lëndët e Para Kritike. Ngjarja u pa si një hap i madh drejt realizimit të një projekti të minierave të litiumit në Serbinë perëndimore, i cili është ende mjaft i papëlqyer brenda vendit. Protestat masive kundër projektit të litiumit u organizuan në dhjetëra vende anembanë Serbisë, duke përfshirë qytete dhe komuna, si dhe në Beograd. Çështja mbetet e pazgjidhur politikisht.
Tragjedia në Novi Sad, pasi një tendë e stacionit hekurudhor të rindërtuar rishtazi u shemb papritur më 1 Nëntor dhe shkaktoi vdekjen tragjike të 15 personave, ndezi një valë të re protestash në Serbi.
Protestat kulmuan në dhjetor, kur dhjetëra mijëra studentë, fermerë dhe qytetarë u mblodhën më 22 Dhjetor në sheshin Slavija dhe rrugët përreth në qendër të Beogradit për të kërkuar përgjegjësinë për këtë ngjarje tragjike, si dhe sanksione për sulmuesit e mëvonshëm ndaj studentëve protestues.
Protesta e studentëve filloi në fund të Nëntorit, pas një sulmi fizik ndaj studentëve, të cilët po përkujtonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit në rrugë. Këta studentë më pas hynë në një bllokadë të fakultetit të tyre, duke nisur një valë bllokadash nëpër universitetet e Serbisë, duke çuar në mobilizimin më të madh të studentëve në Serbi që nga vitet 1990.
Në fund të Nëntorit, prokuroria ka akuzuar gjithsej 13 persona, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit Goran Vesiq, për tragjedinë dhe rastet kundër tyre janë në vazhdim. Një pjesë e publikut, megjithatë, vazhdon të mos i besojë gjyqësorit dhe thekson se nuk ka pasur akuza për korrupsion në lidhje me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, i cili përfundoi në fillim të këtij viti.
Klan News